Në fillim ishte Fjala.
Apo më saktë; Ideja.
Ishte përmendur qindra herë, kryesisht njerëzit thoshin: Pse s’po e bëni televizionin e juaj? Por rruga e këtij projekti që po konkretizohet sonte nisi në korrik, kur dy kokat e Expressit (kokat e mëdha si përmasa) po pinin kafe në Plazhin e Vogël në Ulqin.
“Njeri, po e bojmë televizionin…”, tha Berati.
Leo i zgurdulloi sytë.
“A po e bojmë sonte?”, pohoi ai.
Berati filloi ta elaboronte idenë. Ideja ishte modeste. Transmetohen katër emisionet që po prodhoheshin për televizionet tjera; Komiteti, Zona Express, ExpressRozë dhe MeShukin.
Emri i televizionit?
Natyrisht, ExpressTV.
Shkronja E e madhe, me ngjyrë të kuqe, në fund të ekranit.
E-ja e madhe e bashkë me të edhe emri ExpressTV do të binte poshtë në parkingun e gazetës gjatë diskutimeve të zjarrta mes Beratit, Leos dhe Orhanit, Orhan Kerkezit që do të vinte në Express si prurje e Beratit dhe i cili do t’i rriste ambiciet e udhëheqësve të gazetës.
T7.
E gjetëm.
Kështu do të quhet televizioni.
Nuk po themi e kujt ishte ideja për emrin, pasi që kjo çështje mund të na hap probleme tash, meqenëse kur u vendos – fatkeqësisht – nuk e kishim regjistruar bisedën.
Më 19 shtator lëshohet në portal edhe një njoftim i rëndësishëm me titullin “Njoftim: Së shpejti tregut medial i shtohet TV Express”. Pak ditë më vonë edhe një njoftim tjetër: Gazeta Express kërkon gazetarë, redaktorë, montazherë, regjisorë, animatorë…
Qindra CV më pas vërshojnë në emailin e gazetës.
“Kqyrne çfarë pllastike ka konkurru?”, thoshte Herolindi kohë pas kohe gjatë ecejakeve të tij Zyra e Marketingut-Zyra e Komitetit.
“Qitij ja vlen me ja dhanë rastin”, shtynte ai ndonjë agjendë personale.
Shumë shpejt Zyra e Bujës do të vërshohej nga hiç më pak se 500 kandidatë, të cilët do të intervistoheshin një nga një nga Berati, Leo, Orhani dhe Halili.
Çfarë emocionesh.
Dikush kërkonte ujë, të tjerë dridheshin, një tjetër pas intervistës i bie xhamin me kokë, e një prej kandidatëve nuk e di as datën kur u shpallë pavarësia e Kosovës.
“A lexon diçka ti?”, kërcënueshëm pyeste Berati.
Lexoj statusa n’Facebook…
Shumica absolute të rinj entuziastë, të mençur, njohës të gjuhëve të huaja, të sigurt në vete dhe mbi të gjitha – jashtëzakonisht të bukur. Kishin konkurruar fytyrat e reja të Kosovës, gjenerata që po vjen dhe që padyshim do të jetë gjenerata e artë e këtij vendi, e natyrisht edhe gjenerata e artë e gazetarëve.
“Në çfarë viti je lind?”.
“Në vitin 1999”, tha Pranvera.
“Kam lindur në mal, gjatë bombardimeve të NATO’s”, shtoi më tej.
Uaaaa…
Je e pranuar në punë, pohon njëzëshëm paneli.
Si mund të mos pranohet në punë një prej atyre foshnjave që kishte lindur nën flakët e luftës së vitit ‘99 dhe që tashmë ishte rritur sa për të hyrë në tregun medial, për t’u bërë gazetare.
A s’janë këta fëmijë fal të cilëve Kosova e fitoi lirinë? A nuk janë pikërisht fotot e këtyre fëmijëve, si Pranvera bie fjala, që e binden botën të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë?
Natyrisht që janë.
Fiks një javë zgjatën intervistat e para, e po aq ato të dytat dhe dy muaj të tjerë prova, teste, përgatitje…
Vjollca dhe Arbeni natyrisht gajaseshin me ne.
“A po doni me bo televizion a?”.
Kjo në fillim, derisa edhe ata i fshinë projekti përpara. Më s’ka vend për humor.
Fidani ishte i pari që ju bashkua projektit. Menjëherë e nisi Dyqanin e tij të Pavarur Tregtar. U rikthye edhe Elita, me të cilën ishim ndarë para disa vitesh. Kaltrina ishte këtu. Anita ishte një prej aplikanteve më të suksesshme. Arsimi na besoi dhe erdhi për të punuar, i lodhur nga mospuna dhe komoditeti ku ishte. Arjeta nuk e pat të vështirë kalimin. Në fund projektit ju bashkua edhe Vlera – Vlerë e Shtuar e televizionit – sic po cilësohet tash. Erdh edhe Dijedoni, edhe Dragusha.
Dhe shumë e shumë të tjerë. Emrat e të cilëve do t’i mësoni shumë shpejt. Do t’i duani dhe do të familjarizoheni me ta.
Janë gazetarët dhe moderatorët më të mirë në treg. Absolutisht më të mirët në treg.
Dhe, kanë vetëm një synim; ta bëjnë T7-shin televizionin më të mirë në Kosovë.
T7 do të jetë fytyra e bukur e Kosovës.
I lindur pa-urrejtje.
Me plotë dashni.