Jean-Hubert Lebet, është duke numëruar ditët e fundit në pozitën e tij të ambasadorit të Zvicrës në Prishtinë. Dje në një takim lamtumirës atë e ka pritur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
“Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Lebet do të mbahet në mend në Kosovë për deklaratën e tij të bërë në marsin e vitit 2019 në Skenderaj rreth ‘veteranëve të rrejshëm’.
Diplomati zviceran kishte thënë se është e papranueshme që Zvicra të investojë para në Kosovë, derisa veti shteti i Kosovës të paguaj veteran të rrejshëm.
“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, kishte deklaruar Lebet.
Një deklaratë e tillë e tij kishte nxitur mjaft shumë reagime, derisa ambasador të shteteve të ndryshme në vend i kishin dalur në përkrahje.