Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik në Kosovë.
“Kryetarja Osmani e përgëzoi Ambasadorin Heldt për përfaqësimin dinjitoz të vendit të tij, Gjermanisë, në Republikën e Kosovës si dhe për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës e Gjermanisë. Ajo pohoi se me përfaqësimin e Ambasadorit Heldt partneriteti ndërmjet Kosovës e Gjermanisë është forcuar edhe më tej”, thekson komunikata.
Osmani potencoi se Gjermania vazhdimisht ka luajtur një rol thelbësor në fuqizimin e institucioneve të Kosovës dhe në zhvillimin e saj. Sipas kryetares Osmani, gjatë mandatit të Ambasadorit Heldt, përkushtimi i shtetit gjerman ndaj popullit të Kosovës është vërejtur edhe më shumë, për të cilën gjë ajo tha se populli i Kosovës do t’i mbetet gjithmonë mirënjohës atij.
“Në fund, kryetarja Osmani i uroi Ambasadorit Heldt suksese në rrugëtimin e tij të mëtejmë dhe e siguroi atë që institucionet e Kosovës do të jenë mikëpritëse ndaj ambasadorit në ardhje, për të vazhduar kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet shtetit gjerman dhe Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.