Site icon Televizioni 7

Munishi: Ballkani im ishte bukuria e këtij sezoni

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, këmbëngul se skuadra e tij e ka prodhuar futbollin më të bukur në Ipko Superligë këtë sezon, pavarësisht se dështoi të shpallej kampione një javë para përfundimit të edicionit 2019/20.

Ballkani u ndal me barazim 2:2 nga Gjilani të mërkurën në Stadiumin e Qytetit, në atë që ishte një ndeshje jetike për secilën skuadër për shpresat e tyre për titull, raporton Gazeta Express.

Pavarësisht se e përmbysi rezultatin brenda tre minutave falë Mirlind Dakut dhe Jetmir Topallit, Ballkani nuk ia doli të mbahej dhe pranoi gol në minutën e 94-të, duke ia dorëzuar titullin Dritës.

Skuadra nga Suhareka ishte befasia e këndshme e këtij sezoni në Superligë me arritjet dhe lojën e saj. Ballkani luftoi për titull deri në javën e parafundit dhe ka mundësi ta mbyllë vitin me një trofe të paktën, pasi është në finale të Kupës së Kosovës, ku e pret Prishtina.

Munishi beson se skuadra e tij dhe Gjilani janë të vetmet që kanë treguar futboll të bukur në vend

“Ndeshja ishte shumë e mirë, Gjilani ka skuadër kualitative. Është një klub i organizuar shumë mirë. Ne bëmë një shfaqje të bukur sot. Falënderoj kryetarin dhe kryesinë e Gjilanit për mikpritjen, e po ashtu edhe gjyqtarët”, deklaroi Munishi për Supersport.

“Ne dhe Gjilani kemi luajtur gjatë gjithë kampionatit futboll”.

Ai u zotua se skuadra e tij do ta prodhojë futboll të ngjashëm edhe sezonin e ardhshëm.

“Mendoj që ishim bukuria e këtij sezoni, Ballkani luajti futbollin më të bukur në Kosovë dhe do të vazhdojmë me punë e angazhim. Problemet tona do t’i zgjidhim me kualitet”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Exit mobile version