Zjarrfikësit grekë janë duke u përpjekur t’i vënë nën kontroll flakët që e kanë përfshirë një mal afër një fshati bregdetar në lindje të Peloponezit.
Autoritetet kanë thënë se kanë qenë të detyruara ta evakuojnë një vendbanim pasi zjarri iu afrua një kampi ushtarak, ku kishte mjete shpërthyese, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Zona ku u përhap zjarri u mbulua nga tymi i dendur, ndërsa flakët po përhapen në drejtim të jugut, të ndihmuara nga moti me erë. Deri më tani nuk është raportuar për lëndime apo për dëmtim të pronave.
“Zjarri po forcohet nga erërat e fuqishme. Kemi rekomanduar evakuimin e tri vendbanimeve. Deri më tani nuk ka lëndime apo dëmtim të shtëpive”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve.
Më shumë se 70 zjarrfikës janë angazhuar për ta shuar zjarrin. Ata po ndihmohen nga pesë helikopterë, dy aeroplanë dhe disa vullnetarë.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe komandanti i zjarrfikësve të Greqisë, ndërsa drejt atij vendi janë nisur edhe përforcime.